Një mjek i njohur i kirurgjisë estetike nga Beverly Hills i ka bërë një ofertë të pazakontë Michael Phillips, 38-vjeçarit nga Karolina e Veriut, i cili pretendon se ka penisin më të vogël në botë.
Robert Dorfman ka deklaruar se është prekur nga historia e Phillips dhe i ka ofruar pa asnjë pagesë një procedurë për zmadhimin e penisit, e cila normalisht kushton rreth 20 mijë dollarë, shkruan TMZ.
“E kuptoj se sa personale dhe të ndjeshme janë këto shqetësime. Ato mund të ndikojnë ndjeshëm në vetëbesimin dhe cilësinë e jetës. Nëse kam mundësinë ta ndihmoj dikë të ndihet më mirë me veten, jam i gatshëm t’ia ofroj këtë shërbim falas”, është shprehur mjeku për TMZ.
Phillips, i cili sipas tij është diagnostikuar nga mjekët me mikropenis, thotë se organi i tij gjenital ka një gjatësi prej vetëm 0.38 inç (rreth 1 centimetër). Ai pretendon se kjo gjendje i ka shkaktuar vështirësi jo vetëm në jetën personale dhe emocionale, por edhe gjatë urinimit.
38-vjeçari e ka krahasuar madhësinë e penisit të tij në ereksion me thoin e gishtit të vogël të dorës.
Pak ditë më parë, Phillips kishte hapur një fushatë në GoFundMe për të mbledhur fonde për një operacion zmadhimi, por e mbylli atë vetëm një ditë më vonë pasi u informua për rreziqet e mundshme të ndërhyrjes kirurgjikale, përfshirë humbjen e ndjeshmërisë ose pamundësinë për të arritur ereksion.
Sipas tij, tashmë po shqyrton alternativa më pak invazive, si trajtimet me injeksione, ndërsa oferta e kirurgut nga Beverly Hills mund të ndryshojë planet e tij.