Pronari i agjencisë turistike “Cani Travel” në Lipjan është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Mashtrim i konsumatorëve”.
Rasti është denoncuar më 15 korrik 2026 nga Inspektorati i Tregut, pasi një familje kishte blerë në korrik të vitit 2025 bileta avioni në vlerë prej 1 mijë e 150 eurosh për linjën Hamburg–Prishtinë dhe anasjelltas.
Megjithatë, familja nuk kishte mundur t’i realizonte fluturimet dhe ishte detyruar të blinte bileta të tjera, duke pësuar edhe 1 mijë e 600 euro dëme shtesë.
Pronari i agjencisë ishte intervistuar fillimisht më 28 korrik dhe ishte udhëzuar që ta kompensonte dëmin. Meqë, sipas Policisë, kjo nuk ishte bërë, ai është intervistuar sërish më 20 gusht, këtë herë në prani të avokatit.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, pronari i “Cani Travel” është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për “Mashtrim të konsumatorëve”, vepër e paraparë me nenin 292 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Policisë, dyshohet se në këtë rast mund të jenë mashtruar edhe persona të tjerë.