Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka deklaruar se, sipas saj, vonesat në krijimin e institucioneve nuk janë pasojë e rrethanave, por rezultat i një vendimi politik nga Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo ka thënë se nuk kishte arsye që të mos propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit dhe që procesi i konstituimit të vazhdonte.
“Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe që Kuvendi të mos votohej për konstituimin e tij. Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, mosveprimi i sotëm përbën jo vetëm papërgjegjësi politike, por edhe shpërfillje të rendit kushtetues dhe detyrimeve që dalin nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Kosova nuk mund të mbahet peng për kalkulime politike të një personi apo një partie. Albin, mjaft. Konstituoje Kuvendin menjëherë dhe lëre Kosovën të ecë përpara”, ka deklaruar Çitaku.