by
June 11, 2026
3 mins read

Çka po kërkon Edmond Lajçi nga Gjykata Supreme, për vendimin pasi vrau gruan e tij?

Përmes një ankese të dorëzuar më 10 maj të këtij viti, në Gjykatën Supreme, Edmond Lajçi i dënuari me burgim të përjetshëm se vrau gruan e tij Gjuljeta Ukella, po i kërkon kësaj instance të drejtësisë që t’ia heqë këtë masë të vuajtjes së dënimit.

I dënuari me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje e rëndë”, Edmond Lajçi, përmes mbrojtësit të tij Feim Alaj, i është drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës me ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, duke kërkuar ndryshimin ose anulimin e vendimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim.

Në ankesën prej 18 faqesh, mbrojtja pretendon se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendim të padrejtë lidhur me sanksionin penal.

Sipas mbrojtjes, Gjykata e Apelit ka vepruar me “nguti të pajustifikueshme” kur ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm. Në ankesë thuhet se vendimi fillestar i Apelit nuk kishte përfshirë fare këshillën juridike për ushtrimin e mjetit juridik, gjë që, sipas avokatit, e ka bërë aktgjykimin juridikisht të paplotë dhe ka cenuar të drejtën e të dënuarit për ankesë efektive.

Mbrojtja thekson se më vonë Gjykata Supreme kishte konstatuar këtë mangësi procedurale dhe e kishte kthyer lëndën për përmirësim, ndërsa Gjykata e Apelit ishte detyruar të ndërhynte me një aktvendim të veçantë për të plotësuar vendimin.

Një nga pretendimet kryesore të mbrojtjes është se Gjykata e Apelit nuk ka trajtuar në mënyrë konkrete argumentet e paraqitura në ankesën e mëhershme. Sipas avokatit Alaj, Apeli është mjaftuar me konstatime të përgjithshme se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt, pa analizuar individualisht pretendimet për vlerësimin e provave, raportin e ekspertizës psikiatrike, rrethanat lehtësuese dhe proporcionalitetin e dënimit.

Në ankesë përmendet se Lajçi kishte pranuar fajësinë qysh në fazën fillestare të procedurës gjyqësore dhe se ky fakt është njohur edhe nga gjykata. Megjithatë, sipas mbrojtjes, pranimi i fajësisë nuk është reflektuar fare në masën e dënimit.

“Gjykata ka pranuar ekzistimin e rrethanave lehtësuese, por nuk ka shpjeguar se çfarë peshe kanë pasur ato në matjen e dënimit”, thuhet në ankesën e Lajçit drejtuar Gjykatës Supreme.

Avokati kundërshton edhe mënyrën se si gjykatat kanë vlerësuar rrethanat rënduese. Sipas tij, gjykata ka numëruar disa elemente si rrethana rënduese, të cilat mbrojtja i konsideron të paqëndrueshme juridikisht, përfshirë shkallën e dashjes, posedimin e armës dhe pretendimin se i pandehuri kishte “evituar pengesa” për kryerjen e veprës.

Në dokument thuhet se këto elemente janë përdorur disa herë në mënyrë të përsëritur për të rënduar pozitën e të akuzuarit, pa ofruar një arsyetim të qartë ligjor.

Po ashtu, mbrojtja kundërshton konstatimin e gjykatës se në rast kanë ekzistuar elemente të “shkeljes së besimit” dhe “dinakërisë”, duke argumentuar se këto rrethana nuk mbështeten në faktet e rastit dhe nuk janë arsyetuar mjaftueshëm.

Një tjetër pikë e ankesës lidhet me raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Mbrojtja pretendon se gjykatat nuk i kanë dhënë vlerësimin e duhur ekspertizës psikiatrike dhe nuk kanë analizuar ndikimin që ajo mund të ketë pasur në përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe të dënimit.

Në fund, avokati Alaj argumenton se shqiptimi i burgimit të përjetshëm është joproporcional me rrethanat konkrete të rastit dhe me rrethanat personale të të dënuarit, duke kërkuar nga Gjykata Supreme që të ndërhyjë në vendim.

Tashmë pritet që Gjykata Supreme e Kosovës të shqyrtojë pretendimet e paraqitura në ankesë dhe të vendosë nëse do ta lërë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm, do ta ndryshojë atë apo do ta kthejë çështjen në rigjykim.

Seanca për trajtimin e këtij rasti, do të mbahet më 18 qershor nga ora 10.00. 

Latest from Blog

Go toTop