Rritja e çmimeve të derivateve po vazhdon të rëndojë buxhetet e qytetarëve në Kosovë, ndërsa shqetësimet po shtohen edhe për ndikimin që shtrenjtimi i karburanteve mund të ketë në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera.
Të premten, çmimi i naftës arriti në 1.79 euro për litër, benzina në 1.52 euro, ndërsa gazi në 0.62 euro.
Qytetarët i konsiderojnë këto çmime të larta në raport me pagat dhe standardin e jetesës në Kosovë.
Mërgimtari Brahim Vrellaku tha se gjatë udhëtimit nga Italia drejt Kosovës ka hasur çmime më të ulëta të derivateve në vende të tjera, ndërsa situatën në Kosovë e konsideron të papërballueshme.
“Në Kosovë tani është çmimi katastrofë me e krahasuar me pagat të cilat merren në Kosovë, çmimi është tepër i lartë”, është shprehur ai.
Edhe qytetari Rrustem Avdiu ka kritikuar rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës, duke thënë se jo vetëm derivatet, por edhe çmimet e produkteve të përditshme po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u përballuar.
Ndërkaq, Muharrem Faiku ka paralajmëruar se shtrenjtimi i naftës mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në sektorë të tjerë.
“Kur rriten çmimet, kjo i rrit edhe çmimet tjera pastaj, sepse kostot e transportit”, ka deklaruar ai.
Rritja e kostos së karburanteve mund të reflektohet në shpenzimet e transportit dhe, rrjedhimisht, në çmimet përfundimtare të mallrave dhe shërbimeve.
/Demantim News/