Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, ka bërë thirrje për kompromis ndërmjet partive politike, duke theksuar se vetëm përmes reflektimit dhe bashkëpunimit mund të tejkalohet ngërçi institucional.
Bytyqi deklaroi se, ndonëse përgjegjësia kryesore i takon partisë së parë, edhe opozita duhet të japë kontribut për zhbllokimin e situatës, duke shtuar se është koha që të gjitha palët të “lëshojnë pe”.
Siç raporton Demantim News, ajo u bëri thirrje deputetëve që të vendosin interesin e shtetit mbi atë partiak, ndërsa shprehu shpresën se pas zhvillimeve brenda LDK-së mund të krijohen kushte për dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje politike.
Në fund, Bytyqi tha se nuk e sheh zgjedhjet e reja si zgjidhje, duke theksuar se vendi duhet të ecë drejt zgjedhjes së presidentit dhe formimit të qeverisë.
/Demantim News/