Një person nga fshati Zupç i Zubin-Potokut është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për deklarim të rremë gjatë një hetimi për krime lufte.
Për Demantim News, i dyshuari, me inicialet D.V., ishte ndaluar fillimisht në pikëkalimin kufitar në Bërnjak, ku ishte ftuar të jepte dëshmi në cilësinë e dëshmitarit në hetimet që po zhvillon Prokuroria Speciale për krimet e luftës në Zubin-Potok.
Sipas Policisë së Kosovës, pas intervistimit, ndaj tij është iniciuar procedurë penale për deklarim të rremë, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Hetimet lidhen me gërmimet që po zhvillohen në disa lokacione në Zubin-Potok, ku autoritetet dyshojnë se mund të ketë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999.
/Demantim News/