July 29, 2026
1 min read

Djali i kirurgut Adem Ademi: Pas 27 vitesh po i afrohemi së vërtetës

Erblin Ademi, djali i kirurgut të zhdukur Adem Ademi, ka reaguar pas gjetjes së mbetjeve mortore gjatë gërmimeve në zonën e Kalludrës në Zubin-Potok, duke thënë se familja e tij pas 27 vitesh më në fund po i afrohet zbardhjes së së vërtetës.

Në një reagim publik, ai tha se për gati tri dekada kishte zgjedhur të mos fliste për fatin e babait të tij dhe grupit prej 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës, por zhvillimet e fundit e shtynë ta thyejë heshtjen.

Ademi kujtoi se babai i tij ishte një kirurg i përkushtuar, i cili gjatë luftës ndihmoi në trajtimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa familja kishte jetuar për 27 vjet mes ankthit dhe pasigurisë për fatin e tij.

Sipas tij, pas arrestimit të personave të dyshuar dhe nisjes së gërmimeve në Kalludër, po krijohet shpresa se e vërteta do të zbardhet, megjithatë ai kërkoi që identifikimi i mbetjeve mortore të kryhet me profesionalizëm dhe respekt.

Ai kërkoi gjithashtu që të gjithë autorët dhe përgjegjësit e krimit të përballen me drejtësinë, duke theksuar se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të vërtetë.

Në fund, Erblin Ademi tha se babai i tij do të kujtohet jo për mënyrën se si u vra, por për jetën që jetoi si mjek i përkushtuar dhe njeri që shpëtonte jetë.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop