Donald Trump Jr., djali më i madh i presidentit amerikan, Donald Trump, mbërriti më 7 prill në Banjallukë, ku sipas njoftimeve të mëhershme pritet të takohet me biznesmenë nga entiteti i Republikës Sërpska, me të cilët do të diskutojë për mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve.
Aktualisht nuk dihen detaje të tjera rreth vizitës së tij në Banjallukë të Bosnje e Hercegovinës.
Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë thanë për Radion Evropa e Lirë se Donald Trump Jr. po viziton Banjallukën në kapacitet “privat”.
Lidhur me vizitën e tij, Igor Dodik, funksionar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD dhe djali i udhëheqësit të kësaj partie, Millorad Dodik, deklaroi për agjencinë e lajmeve Srna se Trump Jr. po shkon në Bosnje “me ftesën e tij personale” dhe ftesa i është dërguar në “baza miqësore”.
Ministria e Punëve të Brendshme e RS-së njoftoi më herët se, për shkak të këtij aktiviteti, masat e sigurisë në Banjallukë do të ngrihen në një nivel më të lartë, ndërsa një numër i madh rrugësh në qytet do të jenë nën regjim më të rreptë të trafikut.
Udhëheqja e entitetit të Republikës Sërpska, që udhëhiqej presidenti i atëhershëm, Millorad Dodik, e ka mbështetur hapur presidentin aktual amerikan, Donald Trump, që gjatë fushatës së tij presidenciale.
Në atë kohë, ata shpresonin se do t’u hiqeshin sanksionet, të vendosura për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.
Sanksionet u hoqën për pothuajse të gjithë udhëheqjen e RS-së, në fund të tetorit 2025. Përfaqësuesit e RS-së, për të njëjtin synim, angazhuan edhe kompani lobuese në SHBA.
Në fillim të vitit 2026, Dodik, që tani është ish-president i RS-së për shkak të aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, lidhur me mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij vizitoi SHBA-në dhe u takua me disa zyrtarë të administratës Trump.