Dogana e Kosovës ka konfiskuar 25 për qind të mjeteve monetare të padeklaruara që u gjetën gjatë një kontrolli në Pikën Kufitare të Vërmicës.
Sipas njoftimit, automjeti me targa vendore u ndal për kontroll pasi zyrtarët doganorë ngritën dyshime për shkak të mënyrës së paraqitjes në kufi. Fillimisht, drejtuesi deklaroi se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që duhej të deklaroheshin.
Megjithatë, siç raporton Demantim News, gjatë kontrollit të detajuar u zbuluan mjete monetare që tejkalonin kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh dhe nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, Dogana konfiskoi 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa për pjesën tjetër ka kërkuar dokumentacion që dëshmon origjinën e ligjshme të parave. Rasti është proceduar për trajtim të mëtejshëm sipas ligjit.
/Demantim News/