Policia e Kosovës ka gjobitur dy persona në Klinë, pasi dyshohet se i kanë vënë zjarrin hamulloreve pas korrjes së grurit, duke rrezikuar përhapjen e flakëve.
Rasti i parë është regjistruar në fshatin Caravik, ku pronari i tokës pranoi se kishte djegur hamulloret. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh.
Për Demantim News, rasti i dytë ka ndodhur në fshatin Dollc, ku zjarri përfshiu rreth 2 deri në 3 hektarë tokë bujqësore. Edhe në këtë rast, pronari pranoi se kishte ndezur zjarr për pastrimin e pronës dhe u gjobit me 500 euro.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ndërmarrë masa ndaj të gjithë personave që me veprimet e tyre rrezikojnë jetën, pronën dhe mjedisin, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre.
/Demantim News/