Një shtetas i Kosovës me inicialet F.S. është arrestuar të enjten në pikën kufitare në Merdarë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Arrestimi u krye nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale, pas një procesi hetimor të zhvilluar nga autoritetet.
I arrestuari, sipas informacioneve të siguruara, është Fehim Sali, nga komuniteti goran, i cili është i lidhur me arsimin në komunën e Dragashit.
Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se Sali nuk ka qenë pjesë e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës.
“F.S.nuk është arsimtar i sistemit të shkollimit me planëprograme të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Xheladini.
Sipas dyshimeve të ngritura gjatë hetimeve, Sali dyshohet se ka vepruar në interes të BIA-s serbe. Ndërkohë, rasti po trajtohet nga organet kompetente.