Policia e Kosovës ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi i konsumatorëve”, lidhur me shitjen e biletave të udhëtimit nga një kompani private.
Rasti ishte përcjellë në Polici nga Inspektorati i Tregut më 15 korrik 2026, ndërsa hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas Policisë, viktima së bashku me familjen kishte blerë gjatë korrikut të vitit 2025 bileta për relacionin Hamburg–Prishtinë dhe anasjelltas, në vlerë prej 1 mijë e 150 eurosh.
Pavarësisht pagesës, familja nuk kishte mundur t’i realizonte fluturimet në asnjërin drejtim dhe ishte detyruar të blinte bileta të tjera, duke pësuar edhe 1 mijë e 600 euro dëme shtesë.
Personi përgjegjës i kompanisë ishte intervistuar fillimisht më 28 korrik 2026 dhe, në konsultim me prokurorin, i ishte dhënë mundësia që ta kompensonte dëmin e shkaktuar.
Megjithatë, sipas Policisë, dëmi nuk është kompensuar. I dyshuari është intervistuar sërish sot, më 20 gusht, në prani të avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Mashtrimi i konsumatorëve”.
/Demantim News/