Kombëtarja e Italisë, ka marrë një tjetër goditje të rëndë në arenën ndërkombëtare.
“Azzurrët” u mposhtën nga Bosnja dhe Hercegovina në ndeshjen vendimtare për kualifikim në Kupën e Botës, duke dështuar për herë të tretë radhazi të sigurojnë pjesëmarrjen në turneun më të madh të futbollit.
Ky eliminim ka shtuar ndjeshëm presionin mbi trajnerin Gennaro Gattuso, i cili tashmë duket shumë pranë largimit nga posti. Humbja në një përballje kaq të rëndësishme ka zhgënjyer jo vetëm tifozët, por edhe drejtuesit e federatës italiane, të cilët pritet të marrin së shpejti një vendim për të ardhmen e pankinës.
Dështimi për të tretën herë radhazi në kualifikimet e Botërorit përbën një goditje historike për Italinë, një nga kombëtaret më të mëdha në botë. Pas mungesave në edicionet e fundit, pritshmëritë ishin për një rikthim të fuqishëm, por realiteti rezultoi zhgënjyes.
Tashmë, e ardhmja e Gattusos duket e vendosur, ndërsa federata italiane pritet të nisë kërkimet për një trajner të ri, i cili do të synojë të rikthejë prestigjin e humbur të përfaqësueses.