Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Emin Duraku” në Prizren ka reaguar me pikëllim pas vdekjes së 14-vjeçarit Omer Purova, i cili humbi jetën pas ngjarjes tragjike të 27 gushtit në Prizren.
Sipas informacioneve të publikuara nga autoritetet, i mituri kishte marrë lëndime të rënda pas një konflikti me një 17-vjeçar, ku dyshohet se ishte përdorur një mjet i mprehtë. Pavarësisht ndërhyrjes për shpëtimin e tij, 14-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.
Nga shkolla “Emin Duraku” kanë bërë të ditur se Omeri ishte nxënës i këtij institucioni dhe se në qershor të këtij viti kishte përfunduar klasën e nëntë.
Në reagimin e tyre, nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtoria e shkollës kanë shprehur dhimbjen për humbjen e tij, duke theksuar se Omeri kishte ëndrra dhe plane për të ardhmen.
“Me dhembshurinë më të madhe e bëjmë këtë postim për vdekjen e nxënësit tonë Omer Purova, i cili nga një moment tragjik ndërroi jetë natën e datës 27.08.2026”, thuhet në reagim.
Shkolla ka theksuar se 14-vjeçari pritej të vazhdonte shkollimin në arsimin e mesëm, por planet e tij u ndërprenë tragjikisht.
“Omeri kishte ëndrra, aspirata për jetën e tij si çdo fëmijë. Pas përfundimit të shkollimit fillor ai do të vazhdonte në shkollën e mesme. Mirëpo, fatkeqësisht ëndrrat e tij u shuan dhe mbetën në gjysmë”, thuhet më tej.
Në fund, shkolla ka shprehur ngushëllime për familjen dhe bashkëmoshatarët e Omerit, duke bërë thirrje për më shumë kujdes dhe mbikëqyrje të të miturve, me qëllim që raste të tilla tragjike të mos përsëriten.
Ngushëllime familjes Purova, të afërmve dhe të gjithë atyre që e njohën Omerin.