August 17, 2026
1 min read

Erdogan ndryshon kursin ndaj BE-së: “Anëtarësimi i Turqisë nuk është më prioritet”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se anëtarësimi i vendit të tij në Bashkimin Evropian nuk është më një prej prioriteteve kryesore të Ankarasë.

Erdogan ka thënë se BE-ja nuk po jep sinjale se është e gatshme ta pranojë Turqinë si anëtare me të drejta të plota. Sipas tij, nëse një mundësi e tillë do të refuzohej, pasojat nuk do të ishin vetëm për Turqinë, pasi, siç ka theksuar ai, “humbëse do të jetë Evropa”.

“Anëtarësimi në BE nuk është më në krye të axhendës sonë”, ka deklaruar presidenti turk.

Gjatë intervistës, Erdogan është ndalur edhe në disa çështje të tjera me rëndësi për politikën e jashtme dhe sigurinë e Turqisë. Ai ka folur për avionët F-35, zhvillimet në Siri dhe Gaza, situatën rreth Ngushticës së Hormuzit, si dhe raportet e Ankarasë me Egjiptin.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe Marrëveshjes së Përbashkët të Mbrojtjes, e cila u nënshkrua më 7 gusht në Mekë nga Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani.

Marrëveshja përcakton se një sulm i armatosur ndaj cilitdo prej këtyre tri shteteve do të konsiderohet si një sulm ndaj të tre vendeve.

Erdogan e ka vlerësuar marrëveshjen si një zhvillim të rëndësishëm në aspektin e sigurisë, duke theksuar se ajo ka përcjellë një mesazh të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Sipas presidentit turk, bashkëpunimi i ri në fushën e mbrojtjes tregon për një koordinim më të madh mes tri vendeve dhe për një qasje të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë në rajon.

Latest from Blog

Go toTop