Familja e Jetlira Foniqit, 25-vjeçares shtatzënë që humbi jetën pas plagosjes me armë zjarri në Kërvasari të Malishevës, ka kërkuar që rasti të zbardhet plotësisht dhe drejtësia të vihet në vend.
Djali i axhës së viktimës, Flamur Foniqi, ka thënë se familja është njoftuar për ngjarjen pas orës 02:00 dhe se beson se Jetlira është vrarë.
Ai ka bërë të ditur se familjarët presin konstatimet përfundimtare nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Jemi në dhimbjen tonë, është privuar nga jeta bija jonë dhe prej këtu bëjmë thirrje në arritjen e drejtësisë së plotë”, ka deklaruar Foniqi.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 23 gusht, rreth orës 23:20. Në një dhomë të shtëpisë janë gjetur të plagosur 25-vjeçarja dhe bashkëshorti i saj 26-vjeçar, i cili po trajtohet si i dyshuar në këtë rast.
Të dy janë dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa rreth orës 01:10 Policia është njoftuar se 25-vjeçarja kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Viktima ishte në javën e 34-të të shtatzënisë.