July 14, 2026
1 min read

Ferati: Bisedimet teknike me Vetëvendosjen do të vazhdojnë, LDK-ja është e bashkuar

Sekretari i LDK-së u bëri thirrje zyrtarëve të partisë që debatet t’i zhvillojnë brenda organeve të partisë, duke theksuar se nuk ka deputetë që do ta thyejnë grupin parlamentar.

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka folur para mediave në selinë e partisë, ku ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe diskutimet brenda LDK-së, transmeton Indeksonline

Ferati tha se mbledhja e nënshkrimeve është një ushtrim demokratik nga ata që mendojnë ndryshe, duke shtuar se eksponentët seriozë nuk kanë interes ta pengojnë themelimin e institucioneve.

Ai u bëri thirrje për qetësi kryetarëve të degëve dhe zyrtarëve të LDK-së që po deklarohen publikisht.

“LDK-ja është e të gjithëve, jo e individëve. Me statut jemi të obliguar që çështjet t’i diskutojmë brenda organeve të partisë dhe jo t’i shqetësojmë qytetarët me debatet tona”, u shpreh Ferati.

Sekretari i LDK-së sqaroi gjithashtu se jo të gjithë deputetët janë anëtarë të Kryesisë së partisë, ndërsa theksoi se kryetari Lumir Abdixhiku flet në emër të 18 deputetëve të LDK-së.

“Nuk ka deputetë brenda LDK-së që do ta thyejnë grupin parlamentar,” deklaroi ai. Ferati shtoi se qëllimi mbetet gjetja e një programi të përbashkët në interes të qytetarëve të Kosovës, ndërsa bëri të ditur se diskutimet teknike me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë.

Latest from Blog

Go toTop