Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka dënuar fuqishëm vrasjen e një gruaje 80-vjeçare, e cila dyshohet se humbi jetën nga bashkëshorti i saj.
Gërvalla ka thënë se dhuna ndaj grave përbën një alarm serioz për shoqërinë dhe se ndaj rasteve të tilla duhet të ketë reagim të menjëhershëm dhe të vendosur institucional e shoqëror.
Ajo ka theksuar se asnjë rrethanë apo marrëdhënie nuk mund të shërbejë si justifikim për ushtrimin e dhunës ndaj grave dhe, aq më pak, për marrjen e jetës së tyre.
Sipas Gërvallës, përballë rasteve të dhunës nuk duhet të ketë heshtje, ndërsa ka bërë thirrje që çdo rast apo shenjë që mund të rrezikojë sigurinë e një personi të raportohet menjëherë.
“Një telefonatë mund të shpëtojë një jetë”, ka deklaruar ajo, duke nënvizuar rëndësinë e reagimit të qytetarëve kur kanë dijeni për raste dhune ose vërejnë shenja shqetësuese.
Ministrja në detyrë ka kërkuar që mekanizmat institucionalë për raportim, reagim dhe mbrojtje të viktimave të përdoren në çdo rast.
Ajo ka theksuar se dhuna nuk duhet të konsiderohet çështje private apo familjare, duke bërë thirrje që kërcënimet, keqtrajtimet dhe çdo formë e dhunës të raportohen tek institucionet përkatëse.
Në fund, Gërvalla u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të viktimës, duke thënë se dhimbja e tyre prek të gjithë shoqërinë.
“ZERO TOLERANCË” ndaj dhunës ndaj grave, ka theksuar Gërvalla.