August 26, 2026
1 min read

Gjermania i kërkon Serbisë bashkëpunim të plotë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht me institucionet kosovare për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999 dhe të mundësojë qasje në dokumentacionin përkatës.

Reagimi gjerman vjen pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që Serbia të hapë dosjet e Brigadës së 37-të të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave, e cila dyshohet për përfshirje në masakra në Drenicë dhe zona të tjera të Kosovës.

Ambasada ka rikujtuar se në vitin 2023, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur, përmes së cilës u krijua Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur.

Sipas Ambasadës së Gjermanisë, një nga përgjegjësitë kryesore të këtij mekanizmi, ku përfaqësohen të dyja palët, është sigurimi i qasjes në dokumentacionin relevant vendor dhe ndërkombëtar.

Gjermania ka theksuar se të gjitha palëve u është bërë thirrje që të ofrojnë informacione të sakta dhe të besueshme për personat e zhdukur dhe lokacionet ku dyshohet se ndodhen varreza masive.

Po ashtu, ambasada ka bërë të qartë se pret nga Serbia bashkëpunim të plotë me institucionet homologe të Kosovës gjatë hetimeve dhe proceseve gjyqësore që janë në zhvillim, në përputhje me Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Ligjore.

Çështja e personave të zhdukur mbetet një nga temat më të ndjeshme të trashëguara nga lufta e vitit 1999, ndërsa qasja në dokumentacionin e institucioneve serbe konsiderohet thelbësore për zbardhjen e fatit të tyre.

Latest from Blog

Go toTop