Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por vetëm në një debat publik dhe transparent para qytetarëve.
Për Demantim News, Gjini, në një konferencë për media pas zhvillimeve në seancën konstituive të Kuvendit, e akuzoi Kurtin për thellimin e krizës institucionale dhe tha se nuk do të marrë pjesë në takime të mbyllura politike.
Ai u shpreh se çdo diskutim duhet të zhvillohet para kamerave, duke theksuar se qytetarët duhet të dëgjojnë drejtpërdrejt qëndrimet e të dy palëve.
“Nuk kemi çka me u taku nëpër zyra të mbyllura. E kisha taku Albin Kurtin në debat, me na pa populli i Kosovës. Me kamera, le ta zgjedhë studion, gazetarin e televizionin. Krejt populli le të na dëgjojë çka po i themi njëri-tjetrit”, deklaroi Gjini.
Ai shtoi se në një debat të tillë do t’ia parashtronte Kurtit gjashtë kërkesat që AAK-ja ka prezantuar më herët si pjesë e ofertës së saj për tejkalimin e krizës politike.
/Demantim News/