Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili akuzohej për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësja Edita Çanta ka bërë të ditur se Konjufca lirohet nga akuza për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“I pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, ka deklaruar Çanta.
Konjufca akuzohej se më 10 gusht 2016, në cilësinë e deputetit, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit gjatë një mbledhjeje, duke bërë që deputetët dhe personat e pranishëm ta lëshonin sallën.
Rasti kishte kaluar edhe më herët nëpër procedura gjyqësore. Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.
Ndërkohë, akuza për “Pengimin e personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” ishte parashkruar.
Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishte ngritur aktakuzën ndaj Konjufcës më 3 shkurt 2017, duke e ngarkuar me dy vepra penale.
Me vendimin e fundit, Konjufca sërish është liruar nga akuza për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm.