Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special e ka shpallur fajtor Ilirjan Krasniqin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, duke i zëvendësuar dënimin me gjashtë muaj burgim me një gjobë prej 4.200 euro.
Sipas aktgjykimit, Krasniqi më 16 prill 2026, përmes një komenti të publikuar në profilin e tij në Facebook, kishte shpërndarë përmbajtje fyese, kërcënuese dhe nxitëse të urrejtjes ndaj besimit islam dhe Profetit Muhamed.
Siç raporton Demantim News, Gjykata vlerësoi se komenti ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke cenuar bashkëjetesën ndërfetare dhe rendin publik në Kosovë.
Përveç gjobës prej 4.200 euro, Krasniqi është obliguar të paguajë edhe 100 euro shpenzime të procedurës penale dhe 100 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Në rast se gjoba nuk paguhet, ajo do të zëvendësohet me dënim me burg.
/Demantim News/