Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) u ka bërë thirrje partive parlamentare që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.
Sipas kësaj organizate, zvarritja e procesit për shkak të kalkulimeve politike dëmton funksionimin institucional dhe ul besimin e qytetarëve.
GLPS ka kundërshtuar arsyetimin për shtyrjen e seancës së fundit, duke theksuar se çështja e zgjedhjes së presidentit/es nuk duhet të shërbejë si pengesë për përmbushjen e obligimeve kushtetuese.
Sipas tyre, konstituimi i Kuvendit është hap i domosdoshëm për formimin e Qeverisë dhe nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit/es, të cilat zhvillohen sipas afateve kushtetuese.
Organizata ka paralajmëruar se çdo vonesë e mëtejshme mund të sjellë pasiguri institucionale dhe ka kërkuar që procesi të përfundojë brenda afatit të paraparë.
“Ekziston vetëm një detyrim i qartë, konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik e institucional”, thuhet në reagimin e GLPS-së.