October 22, 2026
1 min read

Tensione para Kryeministrisë në Tiranë, policia përdor ujë me presion për të shpërndarë protestuesit

Protesta studentore para Kryeministrisë në Tiranë ka vijuar edhe pasditen e së enjtes, duke shënuar ditën e dhjetë të mobilizimit të studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë.

Pas disa orësh qetësie, situata është tensionuar sërish, ndërsa policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë me presion për të shpërndarë protestuesit. Sipas raportimeve, protestuesit janë larguar përkohësisht nga zona, por më pas janë mbledhur sërish para godinës së Kryeministrisë.

Protesta e të rinjve kishte nisur që në orën 09:00 para Parlamentit, ku më vonë u mbajt seanca plenare, e shoqëruar me tensione dhe debate.

Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe gjatë fundjavës. Përmes një thirrjeje të publikuar në rrjetet sociale, qytetarët janë ftuar të mblidhen të shtunën, më 24 tetor, para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Me sloganin “Të shtunën, të gjithë në shesh!”, organizatorët kanë bërë të ditur se protesta e radhës synon të bashkojë të rinjtë, qytetarët dhe diasporën.

Pritet që protesta e së shtunës të jetë vazhdim i mobilizimit që prej dhjetë ditësh po zhvillohet në kryeqytetin shqiptar.

Latest from Blog

Go toTop