Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka bërë të ditur se Thaçi është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar nën dyshimin për veprën penale “Ushtrim ndikimi”.
“Mund të konfirmojmë se H.Th. është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrim ndikimi’”, ka deklaruar Luta.
Intervistimi i Thaçit vjen si pjesë e hetimeve që po zhvillohen nga Prokuroria Speciale, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera rreth rastit.
Halil Thaçi, pas daljes nga Prokuroria Speciale, ka deklaruar se nuk do të shantazhohet dhe se do të përgjigjet për çdo çështje për të cilën është pyetur.