Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.
Në njoftim theksohet se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe domosdoshmërinë e tejkalimit të ngërçit institucional.
“Hamza e falënderoi raportuesin Riho Terras për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar konfirmimin se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim”, thuhet në njoftim.
Hamza dhe Terras vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian është një mesazh i rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që vendi të mos humbasë më kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.
“Kryetari Hamza theksoi se Partia Demokratike e Kosovës ndan shqetësimin e shprehur në raport lidhur me pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë”.
Ai theksoi se Kosovës i nevojiten institucione funksionale që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe rindërtojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Stabiliteti nuk duhet të nënkuptojë vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, tha Hamza.
Kryetari i PDK-së, shprehu mirënjohjen për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të fuqishëm të Kosovës dhe të aspiratave tona për anëtarësim në Bashkimin Evropian.