by
April 28, 2026
1 min read

Hamza: Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm, VV po e çon vendin drejt një anarkie politike

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar atë si një tentim që, sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën dhe dëmton rendin demokratik në vend.

Në një deklaratë publike, kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka thënë se çdo përpjekje për zgjedhje të njëanshme të Presidentit përbën “sulm ndaj shtetit të së drejtës” dhe rrezikon stabilitetin institucional të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit,” deklaroi Hamza.

Hamza tutje thekson se veprime të tilla, u mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe mund ta çojnë vendin drejt një situate të paqëndrueshme politike.

Në deklaratën publike, gjithashtu theksohet se Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, dhe se këto parime nuk duhet të cenohen përmes shkeljeve të Kushtetutës apo abuzimit me pushtetin.

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje që të respektohen institucionet dhe procedurat kushtetuese, duke apeluar edhe te qytetarët për vigjilencë ndaj zhvillimeve politike që, sipas saj, mund të dëmtojnë të ardhmen e vendit.

“Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij,” përfundon deklarata e kryetarit të PDK-së Bedri Hamza.

Latest from Blog

Go toTop