Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka vazhduar kritikat ndaj pushtetit lidhur me kontratën për riparimin e vagonëve të trenit në një kompani në Serbi.
Haradinaj ka pretenduar se ndikimi i Serbisë në Kosovë është rritur ndjeshëm, duke akuzuar qeverisjen aktuale për cenim të sovranitetit dhe interesave të vendit.
Sipas tij, Kosova sot është më larg Shqipërisë dhe përballet me një prani më të theksuar të ndikimit serb.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e pushtetit ndaj sektorit ekonomik dhe energjetik, duke pretenduar se përmes këtyre politikave po krijohen hapësira për ndikim më të madh të Beogradit.
Haradinaj ka sulmuar edhe retorikën politike të pushtetit, duke thënë se deklaratat për sovranizëm dhe patriotizëm nuk përputhen me veprimet e tyre.
“Ditën shesin sovranizëm e patriotizëm me fjalë shqip, e natën kurdisin e punojnë për interesat e Serbisë – 24/7”, ka shkruar ai.
Në fund, Haradinaj ka paralajmëruar se, sipas tij, personat përgjegjës për këto veprime do të përballen me drejtësinë dhe do të japin llogari për veprimet e tyre.