Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me ndërhyrjen e Policisë ndaj protestuesve më 5 tetor, gjatë protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Haradinaj ka pretenduar se ndërhyrja policore ishte rezultat i një vendimi politik, i marrë një natë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.
“Priti deri një natë para skadimit të afatit dhe dha urdhër politik policisë për të ndërhyrë, me iu tregu ligjin. E kujt po ia tregon ligjin, atyre që po lypin ligj”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se protestuesit, sipas tij, ishin mbledhur për të kërkuar respektimin e ligjit dhe jo për të kundërshtuar atë. Haradinaj gjithashtu ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si u trajtuan qytetarët gjatë protestës.
Ndonëse ka thënë se respekton Policinë e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, Haradinaj ka kundërshtuar atë që e konsideron ndërhyrje të ndikuar nga politika.
“Policia duhet ta bëjë një dallim mes qeverisjes dhe sundimit. Vërtetë duhet të sundojë rendi e ligji, por nuk duhet të sundojë politika kundërligjshëm, përmes mekanizmave të rendit e ligjit”, është shprehur ai.
Haradinaj ka shtuar se protestuesit, të cilët sipas tij po kërkonin zbatimin e ligjit, u përballën me gaz lotsjellës dhe dhunë.
“Sundimtari i detyroi ata njerëz me plagë e vuajtje e trauma, për tri javë ditë me i ardhë para zyrës, në vend me ua dhënë ligjin, u dha gaz lotsjellës e dajak. E kujt është kjo qeveri, që i jep dajak e gaz lotsjellës qytetarëve që po kërkojnë ligj”, ka deklaruar Haradinaj.
Protesta e 5 tetorit u shoqërua me tensione pranë objektit të Kuvendit të Kosovës. Gjatë saj, protestuesit hodhën mjete piroteknike, ndërsa Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.