October 19, 2026
1 min read

Haradinaj për protestat në Shqipëri: Na dhemb sikur ta kishim në familje

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Shqipëri, ku protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me tensione dhe përplasje.

Në emisionin “Debat Plus”, Haradinaj ka deklaruar se po i përcjell me shqetësim zhvillimet në shtetin shqiptar, duke shpresuar që kriza politike të tejkalohet përmes dialogut dhe pa pasoja në njerëz.

“Me dhimbje po i përcjelli zhvillimet atje. Lutem që të arrihet një zgjidhje për atë gjendje politike, pa dhunë. Shpresoj pa viktima”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka theksuar se ngjarjet në Shqipëri shkaktojnë shqetësim edhe te qytetarët e Kosovës, për shkak të lidhjeve të ngushta mes dy vendeve.

“Na dhemb sikur ta kishim në familje, gjithë atë që po ndodh”, është shprehur ai.

Haradinaj u ka bërë thirrje institucioneve dhe protestuesve që të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje përmes marrëveshjes, në mënyrë që t’u jepet fund tensioneve.

“Lutem të gjithëve, vëllezërve e motrave, edhe institucioneve edhe protestuesve, që të arrihet një marrëveshje e të ndalet kjo situatë”, ka deklaruar ai.

Në përfundim, ish-kreu i AAK-së ka shprehur shpresën që Shqipëria ta tejkalojë sa më shpejt situatën e krijuar dhe të rikthehet në një proces të qetë politik.

Latest from Blog

Go toTop