Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për atë që e konsideron ngecje të projekteve të mëdha infrastrukturore në Kosovë.
Haradinaj ka deklaruar se në vend që të përuroheshin autostrada të rëndësishme si ajo e Gjilanit dhe rruga Klinë-Gjakovë, të cilat, sipas tij, kanë nisur para rreth shtatë vitesh, Kurti dhe kabineti i tij po udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut për të prezantuar projekte që kanë nisur gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet.
“Kryeministri në detyrë ka harruar detyrën që e ka”, ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se fokusi i Qeverisë duhet të jetë te përfundimi i projekteve të nisura në Kosovë.
Ai i ka bërë thirrje Kurtit që, siç është shprehur, “t’i kryejë punët e shtëpisë”, duke rikujtuar premtimin për përfundimin e autostradës së Gjilanit në vitin 2023.
Haradinaj ka vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si janë përdorur fondet publike, duke pretenduar se gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar rreth 25 miliardë euro, ndërsa, sipas tij, nuk është ndërtuar “asnjë metër autostradë”.
Në fund, ai ka ironizuar edhe një projekt të lidhur me përdorimin e zhavorrit, duke pretenduar se kostoja e tij për Kosovën ka qenë jashtëzakonisht e lartë.
Deklaratat e Haradinajt vijnë në kuadër të kritikave të tij ndaj qeverisjes së Kurtit dhe ritmit të realizimit të projekteve infrastrukturore në vend.