April 21, 2026
5 mins read

Haradinaj: Në KEK dhe në ZRRE vendosin Albin Kurti e Dejona Mihali

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar pushtetin për anulimin e termocentralit të ri “Kosova e re” që sipas tij është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës.

Ai tha se anulimi i një projekti të tillë nuk është vetëm dëm energjetik por edhe dëm në çdo sferë të jetës.

“Të nderuar qytetarë të Kosovës, anulimi i termocentralit të ri, projektit ‘Kosova e re’, është dëmi më i madh që i është shkaktuar Kosovës dhe popullit të Kosovës pas luftës, pas goditjeve të mëdha që i kanë ndodhur Kosovës.

Anulimi i një termocentrali prej 500 megavatësh nuk është vetëm dëm energjetik; është dëm në siguri, është dëm në pavarësinë tonë politike, por edhe në çdo sferë tjetër të jetës sonë.

Shkaktari, ose arkitekti kryesor i anulimit të këtij projekti 500 megavatësh me qymyr të Kosovës dhe me çmim 80 euro për një megavat, është Albin Kurti dhe grupi rreth tij.

Kosovën, Albin Kurti dhe grupi rreth tij e kanë lënë pa një termocentral të ri 500 megavatësh.

Ky është një fakt që askush, askush, asnjë në këtë sallë nuk mundet me i ikë edhe me i bë bisht. Kjo është një e vërtetë e cila kurrë s’ka me ndryshuar.

Dikush është kujdesur me vite të tëra mos me e lënë Kosovën me prodhuar 500 megavatë energji me qymyr të vetin, me çmim 80 euro. Por ka punuar. Serbia nuk ka krijuar fitore më të madhe ndaj Kosovës pas 99-ës sesa këtë dështim të termocentralit të ri 500 megavatësh dhe pastaj dorëzimin e Kosovës te Serbia. Kjo është e vërtetë e dhimbshme”, tha Haradinaj.

Gjithashtu, Haradinaj përmendi Dejona Mihalin duke thënë se bashkë me kryeministrin Kurti krijojnë kompani çdo dy javë.

“Këtu janë njerëzit, në këtë Parlament këtu, që e kanë shkaktuar këtë goditje ndaj Kosovës. Dhe s’mund me u fsheh, s’kanë me mund me u fsheh. Nuk kanë marrë masa pas ardhjes  ë tyre me prodhuar, me krijuar burime të reja energjetike.

A e dini pse? Sepse rreth tyre janë grumbulluar mafia energjetike të Ballkanit, të cilën e dominojnë serbët. Dhe këtë e dinë shumë mirë të gjithë këta këtu. Dhe ata, bashkë me njerëzit e afërt të Kurtit, Lidhja e Shkurtër: Kurti, Dejona Mihali  krijojnë kompani çdo dy javë. I regjistrojnë në Shqipëri, i bien në Kosovë, kompani fantazmë. Njëra e ka emrin “Noa” e kështu me radhë, por të gjitha këto kompani janë njerëz të afërt të Albin Kurtit, të strukturës së tij, të njerëzve të tij, të Dejonës.

Janë kujdesur, pra, kjo mafi energjetike, për me e mbyllur qarkun e tregtisë me energji, Janë kujdesur me i kontrolluar të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me energji. Askush prej juve këtu s’mundet me vendos diçka tjetër; deputetë as ministra të VV-së. Në KEK vetëm Albin Kurti dhe Dejona vendosin. Në ZRRE vetëm Albin Kurti dhe Dejona vendosin. E tani edhe në KOSTT-i, në nivel menaxherial është shef, e me ligjin e ri po i propozohet Kosovës mos me raportuar KOSTT-i në parlament, po me raportuar në Qeveri, sepse duan me e mbyllur qarkun e tregtisë me energji edhe me ia lënë duart e lira mafies energjetike me bë edhe më keq me Kosovën.

Nëse këto fakte nuk qëndrojnë, nëse kjo nuk është e vërtetë, hajde t’i diskutojmë sot këtu. Ju lutem, ajo që pse po ju them këto fjalë në parlament juve sot këtu, sepse kaluan gjashtë vjet. Po duhet me ia bërë rrafsh-rrafsh pas gjashtë vitesh. Duhet me ia mbajtur mend, mbajeni përgjegjësinë. Kaluan gjashtë vjet. Me 1 janar 2025 ka pasur me filluar punën 500 megavatë, termocentrali i ri, teknologjia e re pa ndotje, me çmim 80 euro.

Sido që t’ia fillojmë sot mbarë, kushdo që është në pushtet, për pesë vjet, për katër vjet, mundemi me prodhuar energji në Kosovë, me qymyr të Kosovës, me çmim tonin në Kosovë, e jo me na dorëzuar armiqve tanë e me u var prej tyre. Dhe ata me bë çka të duan me ne, me çmime të energjisë për hir edhe të tyre që janë mbledhur rreth shefit të qeverisë”, tha Haradinaj.

Po ashtu ai tha se nëse nuk ndërmerren hapa, dëmet do të rriten edhe më shumë dhe se qytetarëve i është rënduar jeta.

“Deri kur kemi me hesht këtu? Deri kur kemi me ia toleruar njëri-tjetrit? Unë nuk po them mos rrini në partitë tuaja që e kanë bërë këtë, por po ju them: merrni vesh, diskutoni çka po i ndodh vendit. Mos lejoni emrin e juaj të të gjithëve me u bërë kjo masakër energjetike që i ka ndodhur këtij vendi dhe po i ndodh në vazhdimësi.

Nëse nuk ndërmarrim veprime sot, pasojat kanë me u thelluar, dëmet kanë me u rritur. Energjia nuk është vetëm energji  ju e dini më mirë çka po them të gjithë  është siguri dhe është pavarësi politike. Kjo është fatkeqësia që i ka ardhur Kosovës; në situatë të tillë që kemi me pasur dimër ende me reduktime pas kush e di sa viteve, që s’po dihet sa do të jetë çmimi herën tjetër, edhe ku po ftohen madje edhe kompani që i kanë lënë vetë, që janë fantazmë, që sot regjistrohen e për disa ditë bëjnë qindra miliona qarkullim edhe zhduken.

Unë nuk e heq këtë, nuk e kam hequr asnjëherë. Nuk e bëj prej inatit të Kurtit, por e bëj sepse qytetarëve të Kosovës ju ka rënduar jeta”, tha Haradinaj.

Latest from Blog

Go toTop