August 22, 2026
1 min read

Haxhiu viziton sportistët kosovarë në Taranto: Synimi është të kthehemi me medalje

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vizituar sportistët kosovarë që po qëndrojnë në Fshatin Mesdhetar në Taranto, ku po zhvillohen Lojërat Mesdhetare.

Gjatë vizitës, Haxhiu është takuar nga afër me sportistët dhe ka bashkëbiseduar me ta për garat, përvojën e deritanishme dhe sfidat që i presin gjatë ditëve në vazhdim.

Ajo ka treguar se Fshati Mesdhetar këtë herë ka një organizim të veçantë, pasi sportistët janë akomoduar në dy anije të ankoruara në port, Aroya dhe Romantika.

“Ishte kënaqësi të shohim përkushtimin dhe krenarinë me të cilën secili prej tyre e përfaqëson Kosovën”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë sportistëve kosovarë dhe t’i mbështesin gjatë paraqitjeve të tyre në gara.

“Urojmë që puna e tyre të shpërblehet me rezultate sa më të mira, që emri i Kosovës të dëgjohet sa më shpesh dhe që nga Taranto të kthehemi me medalje”, ka deklaruar Haxhiu.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop