Drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës, Atdhe Hetemi, ka bërë të ditur se mbi 80% e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë qenë civilë.
Gjatë prezantimit të raportit të institutit, ai tha se janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës për periudhën janar 1998 – 20 qershor 1999, ndërsa procesi është mbështetur në materiale arkivore të mbledhura nga më shumë se 15 vende.
Sipas Hetemit, raporti dokumenton gjithashtu vrasjen e 1.247 fëmijëve të moshës 0 deri në 17 vjeç, ndërsa 100 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me dhunë.
Ai theksoi se lista mbetet preliminare dhe Instituti do të vazhdojë ta plotësojë atë me raste të reja të dokumentuara.
/Demantim News/