August 6, 2026
1 min read

I plagosuri nga shpërthimi në Gjilan vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, mjekët japin detaje

40-vjeçari që mbeti i lënduar nga shpërthimi i një mjeti eksploziv brenda një veture në Gjilan, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy persona u lënduan nga shpërthimi, ndërsa për gjendjen e 40-vjeçarit kanë dhënë detaje mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror, Shaqir Uka, ka bërë të ditur se pacienti është pranuar me gjendje të rënduar dhe me shok hemorragjik, pas së cilës i është kryer një ndërhyrje urgjente kirurgjikale.

“Pacienti është sjellë në Qendrën Emergjente nga Spitali Rajonal i Gjilanit, pas lëndimeve të marra nga një mjet eksploziv. Pas ekzaminimeve të nevojshme, ai është pranuar në gjendje të rëndë dhe menjëherë i është nënshtruar një operacioni urgjent”, ka deklaruar Uka.

Sipas tij, pas përfundimit të ndërhyrjes, pacienti është transferuar në Njësinë e Mjekimit Intensiv për trajtim të mëtejshëm. Lëndimet kryesore janë në pjesët e poshtme të trupit, ndërsa aktualisht ai mbahet i sedatuar dhe me mbështetje mjekësore.

Edhe drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar se pacienti është sjellë nga Spitali Rajonal i Gjilanit në gjendje të rëndë dhe pas ekzaminimeve është dërguar në sallën operative.

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, ai është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror, ku vazhdon trajtimin dhe gjendja e tij mbetet e rëndë.

Latest from Blog

Go toTop