Një rast i vjedhjes së rëndë të një veture ka marrë kthesë të papritur në Mitrovicë, ku në hetime janë përfshirë edhe një zyrtar policor dhe djali i tij.
Ngjarja është raportuar më 28 mars 2026, rreth orës 15:05, në fshatin Dumnicë e Poshtme, ku ankuesi B.M. ka deklaruar se gjatë kohës që ndodhej në një ceremoni varrimi, persona të panjohur i kanë vjedhur veturën e tij të tipit “Peugeot”.
Pas raportimit, njësitë për hetimin e auto-krimeve kanë nisur veprimet hetimore, ndërsa më 30 mars vetura e vjedhur është gjetur në rrugën “Shteti i Arbërit”.
Gjatë hetimeve, policia ka arritur të identifikojë një automjet tjetër që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës. Sipas burimeve, kjo veturë rezulton të jetë në pronësi të një personi me inicialet B.M., nga Prishtina, i cili është pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Me udhëzim të prokurorit, ai është ftuar fillimisht në cilësinë e dëshmitarit, por pas analizimit të deklaratës, rasti është referuar në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe i njëjti është trajtuar si i dyshuar për “Vjedhje të rëndë në bashkëkryerje”.
Po ashtu, në këtë rast është përfshirë edhe djali i tij, Herolind Murtezi, rreth 26-vjeçar, i cili konsiderohet i dyshuari kryesor, mëson Sinjali.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.