Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 31 gusht – 4 shtator 2026, kushtet agrometeorologjike në vend pritet të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin dhe pjekjen e kulturave bujqësore.
Sipas IHMK-së, temperaturat e larta gjatë ditës do të favorizojnë procesin e pjekjes, ndërsa moti kryesisht i thatë mund të ndikojë në humbjen e lagështisë nga toka.
Për këtë arsye, në zona të caktuara mund të rritet edhe nevoja për ujitjen e kulturave bujqësore.
“Temperaturat e larta gjatë ditës do të favorizojnë pjekjen e kulturave, ndërsa moti kryesisht i thatë mund të rrisë humbjen e lagështisë nga toka dhe nevojën për ujitje”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Megjithatë, gjatë së martës dhe së mërkurës parashihen mundësi për reshje lokale, të cilat në zona të caktuara mund të shoqërohen edhe me bubullima.
Sipas Institutit, reshjet mund të ndikojnë pozitivisht duke përmirësuar përkohësisht lagështinë e tokës, por njëkohësisht mund të krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e sëmundjeve te kulturat bujqësore.
IHMK u rekomandon fermerëve që të kenë parasysh kushtet e motit dhe nevojën për ujitje gjatë ditëve me temperatura të larta.
/Demantim News/