Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”, i cili ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit.
Sipas Pacollit, ky biznes ka funksionuar në kundërshtim me legjislacionin mjedisor, duke rrezikuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Ajo ka deklaruar se aktiviteti ishte në shkelje të Ligjit për Ujërat, vendimit të Qeverisë për përcaktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akteve të tjera nënligjore.
Pacolli ka bërë të ditur se Ministria ka kërkuar hetim të plotë për rrethanat dhe personat përgjegjës që kanë mundësuar funksionimin e këtij aktiviteti.
Sipas saj, hetimi duhet të përfshijë edhe veprimet e ish-zyrtarëve përgjegjës, për të përcaktuar nëse ka pasur keqpërdorim të detyrës në lejimin e kësaj situate.
“Mbrojtja e burimeve dhe rezervuarëve të ujit të pijshëm është obligim ligjor dhe përgjegjësi e jona thelbësore ndaj qytetarëve. Ujërat e Kosovës do t’i mbrojmë me vendosmëri, pa asnjë përjashtim!”, ka deklaruar Pacolli.
/Demantim News/