August 26, 2026
1 min read

Inspektorati zbarkon në terren, deri në 9 mijë euro gjobë për udhërrëfyesit pa licencë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shtuar kontrollet ndaj personave që ushtrojnë profesionin e udhërrëfyesit turistik pa licencën e nevojshme në Kosovë.

Kontrollet po zhvillohen në bazë të Ligjit për Turizmin dhe Udhëzimit Administrativ për kushtet dhe procedurat e regjistrimit dhe ushtrimit të kësaj veprimtarie.

Gjatë ditës së sotme, ekipet inspektuese kanë zhvilluar kontrolle në Prizren, Prishtinë dhe Obiliq, me fokus identifikimin dhe parandalimin e rasteve të punës së paligjshme të udhërrëfyesve turistikë.

Në kuadër të kontrolleve është evidentuar edhe angazhimi i udhërrëfyesve të huaj nga kompani turistike të vendeve të rajonit. Në rastet kur këta persona veprojnë pa licencën përkatëse, aktiviteti i tyre bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Institucionet kanë vlerësuar se problemi nuk lidhet vetëm me respektimin e ligjit. Përdorimi i udhërrëfyesve të palicencuar mund të ndikojë edhe në mënyrën se si u prezantohen turistëve historia, trashëgimia kulturore dhe vlerat e lokacioneve turistike të Kosovës.

Për operatorët turistikë dhe personat që mundësojnë ushtrimin e kësaj veprimtarie në kundërshtim me ligjin, parashihen masa ndëshkuese. Ushtrimi i profesionit të udhërrëfyesit turistik pa përmbushur kërkesat ligjore konsiderohet kundërvajtje dhe dënohet me gjobë nga 3 mijë deri në 9 mijë euro.

Inspektorati u ka bërë thirrje kompanive turistike që udhërrëfyesit t’i angazhojnë në mënyrë të rregullt dhe vetëm pasi të jenë përmbushur kriteret e përcaktuara me ligj.

Institucionet kanë theksuar gjithashtu se Kosova ka udhërrëfyes vendorë të licencuar dhe profesionalë, duke i inkurajuar kompanitë që t’i angazhojnë ata. Qëllimi është që vizitorët të marrin informacione të sakta dhe profesionale, ndërsa njëkohësisht të respektohet ligji dhe të promovohet në mënyrë të denjë trashëgimia historike e kulturore e vendit.

Latest from Blog

Go toTop