Ministria e Sportit dhe Rinisë ka nënshkruar kontratën për realizimin e punimeve për renovimin e pjesshëm të Palestrës “Karagaqi” në Pejë.
Vlera e kontratës është 275 mijë e 251 euro e 60 centë, ndërsa projekti parasheh realizimin e punimeve sipas dokumentacionit teknik dhe projektit të detajuar të arkitekturës dhe inxhinierisë.
Sipas njoftimit për kontratën, punimet duhet të realizohen në përputhje me kërkesat teknike, legjislacionin dhe standardet në fuqi, si dhe duke përdorur pajisje të aprovuara nga FIBA.
Projekti financohet nga buxheti i Kosovës, ndërsa afati i paraparë për përfundimin e punimeve është pesë muaj.
Procedura e prokurimit është zhvilluar përmes tenderimit të hapur, me kriter çmimin më të ulët. Dokumentet e tenderit ishin kërkuar nga 55 operatorë ekonomikë, ndërsa ishte pranuar vetëm një ofertë, e cila është vlerësuar si e përgjegjshme.
Kontrata është nënshkruar më 21 korrik me grupin e operatorëve ekonomikë NBT-ING SH.P.K. dhe EURO CONSTRUCTION NNP SH.P.K.
Renovimi synon përmirësimin e kushteve në njërën prej palestrave kryesore sportive të Pejës, e cila është veçanërisht e rëndësishme për zhvillimin e basketbollit dhe aktiviteteve të tjera sportive në qytet.
/Demantim News/