Komandanti i përgjithshëm i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar takim lamtumirës me atasheun e mbrojtjes së SHBA-së, kolonelin Ashley J. Berg, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij në forcimin e bashkëpunimit mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ushtrisë amerikane.
Gjatë takimit, Jashari ka vlerësuar kontributin e Berg në mbështetjen e SHBA-së për ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së drejt arritjes së kapaciteteve të plota operacionale, raporton Demantim News.
Më herët, gjenerali Jashari ka pritur edhe atasheun ushtarak të SHBA-së, nënkolonelin Jonathan Shaw, të cilin e ka falënderuar për angazhimin në avancimin profesional dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.
Në shenjë mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e tyre, GLT Jashari u ka ndarë të dy atasheve medaljen “Shërbim vetëmohues” për kontributin e dhënë gjatë shërbimit të tyre në Republikën e Kosovës.
Në fund të takimeve, Jashari ka uruar atashetë e rinj të SHBA-së për marrjen e detyrave të reja, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit profesional dhe partneritetit mes FSK-së dhe institucioneve amerikane.