Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv Kadri Xhemajlin, i cili kishte pranuar fajësinë për akuzën e kanosjes ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Xhemajli ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale se më 22 tetor 2025, përmes një komenti në Facebook, e kishte kanosur Kurtin me privim nga jeta.
Gjykata paraprakisht kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit. Sipas marrëveshjes, ishte propozuar një dënim prej një viti burgim me kusht dhe periudhë verifikuese prej tre vjetësh.
Megjithatë, gjykata nuk e ka pranuar rekomandimin për masën e dënimit dhe ka vendosur që Xhemajli të dënohet me gjashtë muaj burgim efektiv.
I dënuari ka të drejtë ankese lidhur me lartësinë e dënimit.
Rasti lidhet me veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.