Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër, më 29 korrik, do të hyjnë në fuqi kufizime të përkohshme për qarkullimin e kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.
Kufizimi do të vlejë nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta që pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32°C.
Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të zhvillohet normalisht, ndërsa nga kufizimi përjashtohen automjetet e policisë, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufizimet dhe të planifikojnë lëvizjet sipas orarit të përcaktuar.