Një operacion i rrezikshëm policor ka përfunduar me arrestimin e një personi të kërkuar për vrasje të rëndë, i cili për vite me radhë kishte arritur t’i shmangej drejtësisë.
Bëhet fjalë për Muhamet Gashin, i dyshuar për përfshirje në rastin e rëndë të ndodhur më 5 gusht 2022 në Lipjan, ku mbeti i vrarë Dardan Gashi, ndërsa u plagos Jeton Gashi.
Siç mëson Sinjali, pas kryerjes së krimit, njëri nga të dyshuarit ishte arrestuar, ndërsa Muhamet Gashi kishte ikur dhe kishte mbetur në arrati për vite, duke u shpallur në kërkim policor me urdhër-arrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas hetimeve, ai kishte arritur të shmangte arrestimin duke qëndruar kryesisht në territorin e Serbisë, ndërsa herë pas here dyshohet se kishte hyrë në Kosovë duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Arrestimi i tij është realizuar më 15 prill 2026, pas një pune intensive hetimore dhe sigurimit të informatave për vendndodhjen e tij në një kompleks banesor në Prishtinë.
Operacioni është zhvilluar në koordinim me prokurorin e rastit dhe me asistencë të Njësisë Speciale (NJSI), për shkak të rrezikshmërisë së lartë.
Gjatë ndërhyrjes në banesën në rrugën “Don Shtefan Kurti”, në kompleksin “City View”, policia është detyruar të përdorë forcë për hapjen e derës, pasi të dyshuarit nuk kishin reaguar.
Në momentin e hyrjes, Sinjali mëson se i dyshuari Muhamet Gashi është parë me armë në dorë, të drejtuar ndaj zyrtarëve policorë, por është neutralizuar me kohë dhe i është marrë arma.
Në të njëjtën banesë është arrestuar edhe Gentian Gashi, i cili dyshohet se i kishte dhënë ndihmë të dyshuarit për t’iu shmangur drejtësisë.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: dy pistoleta (Zoraki dhe Ecol), fishekë të kalibrave të ndryshëm, substancë narkotike e dyshuar marihuanë, dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, dokumentacion që dyshohet të jetë përdorur për mashtrime dhe fshehje identiteti
Kontrolli është kryer në prezencë të avokatit dhe dëshmitarëve, ndërsa të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Rasti është cilësuar si: “Vrasje e rëndë”, “Dhënia e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale”, “Mbajtje e paautorizuar e armëve”, “Falsifikim i dokumenteve”
Hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.