Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka cilësuar të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, pasi afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar pa u konstituuar legjislativi.
Reagimi i KDI-së vjen pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit, duke kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Sipas KDI-së, brenda afatit kushtetues LVV-ja nuk e ka ushtruar përgjegjësinë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe, edhe pas skadimit të tij, ka refuzuar ta bëjë një propozim.
Instituti vlerëson se kjo situatë ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese sa i përket vlefshmërisë së procedurave të mëtejshme.
KDI thekson se një kandidaturë e paraqitur pas skadimit të afatit, një ndërprerje e re e seancës apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i zhbëjnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit.
Sipas këtij instituti, asnjë subjekt politik nuk mund t’i përcaktojë në mënyrë të njëanshme pasojat e skadimit të afatit apo t’i zgjidhë ato përmes krijimit të një fakti të kryer.
KDI konsideron se kompetenca për të vlerësuar dhe interpretuar pasojat kushtetuese të kësaj situate i takon Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.