Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës kanë zhvilluar takime me përfaqësuesit sindikalë, ku janë diskutuar rastet e fundit, siguria industriale dhe kushtet e shëndetit në punë.
Nga KEK-u është bërë e ditur se aktualisht po zhvillohet vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës, përmes një kontrate që është në zbatim.
Bordi dhe Menaxhmenti kanë kërkuar që për rastet e fundit të mos nxirren përfundime para përfundimit të hetimeve, duke theksuar se deklaratat e pakonfirmuara mund të dëmtojnë familjet e prekura dhe procesin e zbardhjes së rasteve.
“Rrethanat, shkaqet dhe përgjegjësitë eventuale duhet të përcaktohen vetëm mbi bazën e fakteve dhe gjetjeve zyrtare të procesit hetimor, pa paragjykime dhe pa nxjerrë përfundime të parakohshme”, ka deklaruar KEK-u.
Korporata ka theksuar se hetimet për rastet janë duke u zhvilluar nga organet kompetente të drejtësisë dhe se çdo përgjegjësi eventuale duhet të përcaktohet vetëm pas përfundimit të tyre.
Në fund të takimeve, palët janë pajtuar për intensifikimin e dialogut dhe bashkëpunimit, me fokus në sigurinë dhe shëndetin në punë dhe përmirësimin e kushteve për punëtorët.
KEK-u ka përsëritur se siguria dhe shëndeti i punonjësve mbeten prioritet dhe përgjegjësi themelore e Korporatës.