April 22, 2026
1 min read

KEK-u planifikon ndërrimin e gypave të kondensatorit, shpall kontratën afro 7- milionëshe

Është shpallur aktiviteti i prokurimit nga Korporata Energjetike e Kosovës, për të ndërruar gypat e kondensatorit B1 dhe B2, në termocentralin “Kosova-B”.

Në shpallje, vlera e parashikuar e kontratës është njoftuar 6 milionë e 784 mijë e 725 euro

Kontrata njëvjeçare do të ndahet në dy lote dhe ndërrimi i gypave planifikohet të bëhet në periudha të caktuara kohore.

Ndërrimi i gypave në njësinë B1 parashihet të bëhet në periudhën 1 qershor dhe 5 shtator 2026. Ndërkaq, ndërrimi i gypave në njësinë B2 do të bëhet nga 1 maj 2027, deri më 1 tetor 2027.

Vlera e sigurisë së tenderit për lotin 1 është 40 mijë euro, ndërkaq për të dytin 35 mijë.

“Në vitin 2026 dhe 2027 janë planifikuar ndaljet në periudha më gjata kohore të blloqeve B1 dhe B2, andaj në mënyrë që të realizohet projekti gjatë këtyre ndaljeve është e domosdoshme që publikimi të bëhet me afate të përshpejtuara”, thuhet në njoftim të prokurimit.

Përveç dorëzimit të tenderit, operatorët ekonomikë të interesuar do të kenë të drejtë të zhvillojnë vizitë në KEK, për të parë nga afër pajisjet dhe vendin ku do të realizohet projekti. Vizita pritet të organizohet gjatë javës së ardhshme.

“Në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidatë do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate. Nëse më shumë se 6 kandidatë të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të riekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit”, thuhet në njoftimin e aktivitetit.

Afati i fundit për pranim të tenderëve është data 12 maj.

Latest from Blog

Go toTop