October 20, 2026
1 min read

Limaj: Reagimi i Trendafilovës dëshmon efektet e para të ligjit të ri për Specialen

Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv reagimin e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, lidhur me ligjin e ri të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Duke folur në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, Limaj ka deklaruar se prononcimi i Trendafilovës përbën një nga shenjat e para të ndikimit që, sipas tij, po jep ligji i ri.

Ai ka vlerësuar se reagimi i saj erdhi si rezultat i veprimeve konkrete të Kosovës, ndërsa ka theksuar se kryetarja e Dhomave të Specializuara nuk e ka komentuar drejtpërdrejt ligjin e ri, por është përqendruar në shpjegimin e bazës ligjore mbi të cilën funksionon ky institucion.

Sipas Limajt, Trendafilova nuk ka kompetencë të komentojë apo të interpretojë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa mënyrën se si ajo është shprehur e ka cilësuar si të kujdesshme.

“Për mua është një hap pozitiv vetë detyrimi i saj me dalë me i dhanë disa sqarime, pavarësisht çka tha. Tregon efektet e para të ligjit”, është shprehur Limaj.

Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e komunikimit të Dhomave të Specializuara ndër vite, duke përmendur atë që e konsideron mungesë transparence dhe komunikimi me qytetarët e Kosovës.

Limaj ka theksuar se institucionet e drejtësisë duhet të jenë më të hapura në komunikimin me publikun, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që prekin drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës.

Latest from Blog

Go toTop