Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar për vazhdimin e procesit të optimizimit të pranisë së tij në vend, duke theksuar se mandati mbetet i pandryshuar dhe siguria e të gjitha komuniteteve vazhdon të jetë prioritet.
Sipas KFOR-it, procesi i paralajmëruar më 12 qershor 2026 po zhvillohet gradualisht dhe në koordinim me institucionet e Kosovës, Bashkimin Evropian, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
KFOR-i ka theksuar se ndryshimet nuk janë të pakthyeshme dhe se procesi mund të rishikohet nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë afatgjatë të Kosovës apo stabilitetin rajonal.
Në kuadër të këtij procesi është përfshirë edhe tërheqja graduale e pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura mbi Ibër, për të cilën misioni thotë se pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë.
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali George Wikoff, ka sqaruar se KFOR-i nuk ka mandat të vendosë nëse ura duhet të hapet apo të mbetet e mbyllur.
“KFOR-i nuk ka mandat për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Këtë duhet ta përcaktojnë BE-ja dhe institucionet përkatëse në Kosovë, pasi KFOR-i të përfundojë praninë e tij në këtë urë”, ka deklaruar Wikoff.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka siguruar se angazhimi i misionit për sigurinë e qytetarëve mbetet i pandryshuar.
KFOR-i ka paralajmëruar se, krahas reduktimit të pranisë në disa pika, prania do të rritet në zona të tjera, përfshirë pjesën veriore të Kosovës, përmes patrullimeve, pikave të vëzhgimit dhe kontakteve me komunitetet lokale.
Misioni ka sqaruar gjithashtu se zbatimi i ligjit nuk është pjesë e mandatit të tij, duke e cilësuar Policinë e Kosovës si institucionin vendor përgjegjës dhe reaguesin e parë për zbatimin e ligjit dhe sigurinë publike.
KFOR-i më 10 gusht kishte njoftuar për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga Ura e Ibrit, ndërsa ka nisur edhe integrimin gradual të Policisë së Kosovës në përgjegjësitë për sigurinë e Manastirit të Deçanit.
/Demantim News/